Letra e Plotnerit, Bonnes dhe Talos: Marrëveshja kërkon cilësi udhëheqëse nga Kosova e Serbia, dështimi do të ketë pasoja
Këshilltarët e tre liderëve evropianë, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, përmes një letre kanë thënë se qëllimi i takimit në Ohër në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit nuk është të komplikojë atë që tashmë është rënë dakord, por më tepër të inkurajojë hapa konkretë drejt realizimit të saj.
Kjo letër vjen në prag të takimit të 18 marsit në Ohër, për të negociuar planin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të riinterpretojnë fjalën e dhënë, sepse duke e bërë këtë ata do të shpërdoronin këtë mundësi unike dhe do të rrezikonin të bllokonin rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në letrën e Emmanuel Bonnes, Jens Plotnerit dhe Francesco Talos.
Bazuar në këtë shkresë, thuhet se Kosova duhet të përmbushë premtimin e saj për mbrojtjen e komunitetit serb, duke marrë masa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe duke ofruar garanci për një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe. Ndërkaq sa i përket palës tjetër, në letër thuhet se Serbia duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një vend fqinj që ka perspektivën e saj evropiane dhe vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare.
“Koha nuk është në anën tonë. Dhe më e rëndësishmja, moti nuk është në favor të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jemi në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për imperativët e momentit të caktuar. Dështimi do të kishte pasoja. Marrëveshja kërkon mençuri dhe cilësi udhëheqëse nga të dyja palët, si dhe qasje të përgjegjshme të të gjithë aktorëve politikë në Serbi dhe Kosovë. Tani është koha e duhur. Si miq të Kosovës dhe si miq të Serbisë, ju premtojmë se do t’iu mbështesim në rrugën drejt BE-së”, thuhet tutje në letër. Sipas tyre, arritja e një marrëveshjeje midis dy vendeve fqinje është e rëndësishme sepse siç thonë ata “arsyeja është se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë, si dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, është në BE-në dhe ne duam t’iu mbështesim sa më fort që të jetë e mundur në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në Union”.
Përshkallëzimi i situatës në terren, destabiliteti i sigurisë në Kosovë, thuhet ndër të tjera në letër, duhet të marrë fund.
“Duhet të marrë fund sepse me të drejtë qytetarët e Evropës pyesin se si Serbia dhe Kosova do të ulen ndonjëherë në të njëjtën tryezë në Bruksel si miq dhe partnerë kur janë anëtarë të Bashkimit Evropian? Si mund t’i bindim qytetarët tanë se ofrimi i mbështetjes për Serbinë dhe Kosovën është një ide e mirë?. Kjo situatë duhet të marrë fund sepse investitorët nga vendet tona ndjekin lajmet dhe pyesin veten nëse ia vlen të investohet në këtë rajon. Çfarë duhet t’u themi atyre nëse flakët e një konflikti të ri tashmë po digjen?”, shkruan gazeta serbe Blic.
Ata po ashtu kane theksuar se kjo situatë duhet të marrë fund sepse qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë, në të cilën sipas tyre, do të kapërcehen përfundimisht mosmarrëveshjet që paralizojnë të dy vendet.
“Kjo e ardhme hap rrugën për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimin rajonal dhe një treg të vetëm. Dhe kjo e ardhme, në fund, i hap rrugën realizimit të premtimit të dhënë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor , që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si partnerë të barabartë, sapo të plotësojnë kriteret. Mundësia për të nisur atë të ardhme është tani”, përfundohet në letër. /dukagjini