Si përfundoi parcela në Lipjan te tenderuesi joekzistues

Si përfundoi parcela në Lipjan te tenderuesi joekzistues

Aktuale March 08, 2023 - 12:34

Kompania “Rezonanca” prej vitesh shfrytëzon një parcelë prej gati katër hektarësh në Komunën e Lipjanit, pjesa qendrore e Kosovës, edhe pse nuk ka marrë pjesë në tenderin për shfrytëzimin e saj.

Komuna, në bazë të tenderit të shpallur në vitin 2009, ua ka dhënë për shfrytëzim këtë tokë kompanive “Punëtori” dhe “B-Inxhiniering”, me pronar Luan Prenkun, përkatësisht Besim Smajlin.

Toka do të shfrytëzohej për 99 vjet dhe aty do të themelohej një qendër shpërndarëse farmaceutike, si dhe një kompani për ndërtimin e serave për kultivimin e perimeve.

Por, në vend të tyre, atje janë ndërtuar spitale, një shkollë e mesme, një depo, një qendër rekreative hoteliere, ndërsa në ndërtim e sipër është edhe një objekt shumëkatësh.

Zyrtarë të Qeverisë thonë se ndërrimi i pronarëve të biznesit në prona të komunës është veprim joligjor.

Autoritetet në Lipjan thonë se rasti në fjalë u është dorëzuar tashmë organeve të hetuesisë, por REL-i, përmes kontakteve me prokurori, nuk ka mundur ta konfirmojë një gjë të tillë.

Si ka hyrë “Rezonanca”?

Me ligjin në Kosovë, Komuna ka të drejtë ta japë në shfrytëzim tokën në bazë të projektit që e hartojnë vetë kompanitë. Komuna, më pas, e përzgjedh kompaninë më të mirë garuese, duke respektuar disa kritere të caktuara.

Kur Komuna e Lipjanit i ka dhënë në shfrytëzim disa parcela në vitin 2009, përfshirë edhe parcelën e diskutueshme, kompania “Rezonanca” nuk ka marrë pjesë në tender.

Luan Prenku, përfituesi i gjysmës së parcelës prej rreth katër hektarësh, thotë se, për shkak të vështirësive financiare për realizimin e projektit të paraqitur në tender, ia ka shitur aksionet e biznesit kompanisë “Rezonanca”, pronarë të së cilës janë Ramadan Idrizaj dhe Arian Idrizaj nga Prishtina.

Aksionet e veta te kjo kompani i ka kaluar edhe përfituesi tjetër i tokës në Lipjan, Besim Smajli.

Një gjë të tillë ata e kanë bërë me autorizim te noteri Ramadan Bunjaku, në Prishtinë, në janar të vitit 2013. Në këtë dokument thuhet se "autorizojmë 'Rezonancën' që tek autoritetet komunale në Lipjan të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale" për zbatimin e projektit.

Bunjaku tha shkurtimisht për REL-in se autorizimi “është bërë me pëlqimin e palëve”. I pensionuar qe dy vjet, ai tha se nuk i kujtohen detajet e marrëveshjes.

Edhe pse tenderin e kanë fituar në vitin 2009, dy kompanitë nuk kanë bërë ndonjë investim në parcela.

Prenku thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk i kujtohet se me çfarë çmimi e ka bërë shitjen e aksioneve të tij te kompania “Rezonanca”, e cila në atë kohë përfaqësohej nga Ramadan Idrizaj.

“Kur është bërë [ndërrimi i pronarëve], ato aksione që kam pasur në firmë, kanë qenë simbolike... Ato i ka paguar dhe ai e ka marrë tokën përsipër për të ndërtuar depo farmaceutike. Në të kundërtën, toka do të kthehej te pronari, sepse pronar është Komuna e Lipjanit”, thotë Prenku, duke shtuar se ky është “veprim i ligjshëm”.

Rel-i bëri përpjekje të bisedojë edhe me Besim Smajlin, pronar i kompanisë “B-Inxhiniering”, por ai nuk ishte i qasshëm.

Nga kompania “Rezonanca” nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se përse nuk kanë marrë pjesë në tender dhe në çfarë mënyre e shfrytëzojnë tokën komunale.

“Këto përgjigje i merrni në Kuvendin Komunal [në Lipjan]”, tha Arian Idrizaj, njëri prej pronarëve të kompanisë “Rezonanca”, në një përgjigje elektronike. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: