Destani viziton komunën e Mitrovicës e Skenderajt, bën homazhe te varrezat e Jasharëve

Destani viziton komunën e Mitrovicës e Skenderajt, bën homazhe te varrezat e Jasharëve

Aktuale February 19, 2023 - 14:21

Afaristi i njohur Lazim Destani në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Pavarësisë së Kosovës ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Po ashtu përveç homazheve ai vizitoi edhe babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhiun në Brojë, shkruan Zeri.info.

Destani tha se gjatë bisedës me babain e Thaçit ka theksuar se Pavarësia e Kosovës s’do të arrihej pa kontributin e UÇK-së.

“Gjithashtu shpreha bindjen e plotë se krerët e UÇK-së tash po përballen me betejën e tyre të fundit për mbrojtjen e Kosovës nga tendencat për shtrembërimin e ngjarjeve e të historisë!”, shkroi ai.

Destani në kuadër të këtyre aktiviteteve vizitoi edhe Mitrovicën e Skenderajn ku takoi kryetarët e këtyre komunave, Bedri Hamzën dhe Fadil Nurën.

“Gjatë bisedave në këto dy takime, pas urimeve të ndërsjella për festën e Pavarësisë, Kryetarët e këtyre dy komunave nënvizuan përpjekjet e tyre për menaxhimin dhe tejkalimin e pasojave nga përmbytjet e muajit të kaluar. Në fund të këtyre takimeve, në shenjë falënderimi për mbështetjen që u dhamë familjeve të prekura nga vërshimet, pata nderin të pranoj mirënjohje nga këto dy komuna”, shkroi ai teksa bashkëngjiti edhe fotografitë nga këto aktivitete në nder të 17-shkurtit. /Zëri