Kurti takohet me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në OSBE: Propozimi evropian, platformë solide për të ecur përpara

Kurti takohet me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në OSBE: Propozimi evropian, platformë solide për të ecur përpara

Aktuale February 07, 2023 - 17:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në zyrën e tij Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se në këtë takim i diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës.

“Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e OSBE-së dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë institucioneve të Republikës”, thuhet në komunikatë.

Ai i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian.

“Kosova është histori e dyfishtë e suksesit. Me trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, Kosova po dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë krah për krah”, tha Kurti

Gjithashtu, ambasadorët u njoftuan edhe për politikat sociale, si ajo e arsimit publik falas, shtesave për lehona dhe fëmijë, dhe masat e punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Tutje thuhet se në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilinKurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

“Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma. Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës.

Ambasadorët e QUINT-it në OSBE janë Michael Carpenter, Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, Përfaqësuese e Përhershme e Francë, Gesa Braeutigam, Përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, Përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatë. /Zëri