Osmani: Kosova dhe Mali i Zi duhet t’i kundërvihen tendencave destabilizuse të Serbisë dhe Rusisë

Osmani: Kosova dhe Mali i Zi duhet t’i kundërvihen tendencave destabilizuse të Serbisë dhe Rusisë

Aktuale February 07, 2023 - 16:03

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Milo Gjukanoviq

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy presidentët shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

Osmani ka theksuar se Kosovën dhe Malin e Zi i lidhë përkushtimi i dyanshëm për të ardhmen euroatlantike. Ajo theksoi se integrimi i plotë i Kosovës dhe Malit të Zi në strukturat euroatlantike nuk është vetëm opsion, por është një domosdoshmëri.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në arritjen e këtij qëllimi ekzistencial, duke luftuar çdo përpjekje të atyre që kërkojnë të na pengojnë në këtë rrugëtim dhe tentojnë të minojnë progresin tonë”, tha Presidentja Osmani.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se tendencave të Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë për destabilizim të rajonit, duhet t`i kundërvihen të dy shtetet.

Në takim, Presidentja Osmani ka marrë mbështetjen e Presidentit Gjukanoviq për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare

Duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi, Presidentja Osmani ka falënderuar homologun Gjukanoviq për kontributin e shtetit të tij gjatë vitit 1999, kur shkaku i luftës në këtë shtet u strehuan refugjatë nga Kosova.

Presidentja Osmani tha se kjo histori dhe e tashmja janë në funksion të forcimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe se Mali i Zi është jo vetëm shtet fqinj, por edhe aleat i rëndësishëm për Kosovën. Sipas Presidentes Osmani, Mali i Zi dhe Kosova janë partner në bashkëpunimin rajonal dhe se stabiliteti i të dy vendeve është në funksion edhe të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Të dy presidentët, kanë diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidentja theksoi se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pavarësimin e Malit të Zi, ndërkaq komuniteti malazez në Kosovë poashtu është pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit tonë, duke vazhduar kontributin e tyre për Kosovën sovrane me të ardhme të qartë euro-atlantike.

Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. /Zëri