Ejupi: Të solidarizohemi me Turqinë dhe Sirinë në këto ditë të vështira

Ejupi: Të solidarizohemi me Turqinë dhe Sirinë në këto ditë të vështira

Aktuale February 07, 2023 - 14:51

Tërmetet e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri kanë lënë mijëra të vdekur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuarit nën gërmadha.

Shumë vende të botës i janë përgjigjur me ndihmë situatës në rajonet e prekura nga tërmetet, ndërsa edhe Kosova ka dërguar dje një ekip të kërkim-shpëtimit të FSK-së në Turqi.

Në lidhje me situatën atje, sot ka reaguar edhe pronari i kompanive “Eurokoha” dhe “Kosova Airlines”, Remzi Ejupi, i cili ka bërë thirrje që të solidarizohemi me të prekurit në Turqi e Siri.

Ejupi ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për të dërguar trupat e FSK-së në Turqi pas tërmeteve.

“Derisa Turqia dhe Siria po numërojnë viktimat e tërmeteve, më shumë se kurrë bota ka nevojë të solidarizohet me popullin turk dhe sirian, duke u dalë në ndihmë të prekurve nga kjo tragjedi. Kosova tashmë ka bërë një hap, ku me vendim të presidentes dhe Qeverisë, një ekip i kërkim-shpëtimit të FSK-së ka mbërritur në zonat e prekura nga tërmetet. Në këto ditë të vështira të gjithë jemi me zemër dhe mendje pranë popullit mik të Turqisë, me të cilët solidarizohemi me dhimbjen në të cilën po kalojnë”, shkroi Ejupi.

Ai uroi që të ketë sa më pak viktima nga kjo tragjedi, e cila tronditi të gjithë. /Zëri