Kurti: Propozimi evropian është i pranueshëm për diskutime të mëtutjeshme

Kurti: Propozimi evropian është i pranueshëm për diskutime të mëtutjeshme

Aktuale February 07, 2023 - 14:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm, si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

Kurti këto deklarata i ka bërë gjatë një takimi me përfaqësuesin e përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin Michael Carpenter.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve”, ka deklaruar Kurti njofton Qeveria e Kosovës.

Gjatë takimit, sipas njoftimit, u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe OSBE-së.

Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

Image