Kurti publikon statistika të keqmenaxhimit të komunave veriore, thotë se po bëhen me ndihmën e Beogradit
Foto: Laura Hasani

Kurti publikon statistika të keqmenaxhimit të komunave veriore, thotë se po bëhen me ndihmën e Beogradit

Aktuale February 07, 2023 - 14:00

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa statistika të komunave me shumicë serbe në Kosovë, lidhur me buxhetin komunal.

Në llogarinë e tij në Twitter, Kurti ka thënë se dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë marrë mesatarisht 62% më shumë buxhet (në tërësi) për kokë banori, si dhe 89% më shumë në shpenzime kapitale për kokë banori se 28 komunat e tjera, 27 prej të cilave janë me shumicë shqiptare.

Kurti, duke u bazuar në të dhënat e Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave për 14 vitet e fundit 2008-2022, thekson se gjashtë komunat relativisht të integruara me shumicë serbe në jug kanë performuar vazhdimisht më mirë se katër në veri.

“Politikanët serbë dhe udhëheqësit komunalë në 6 komunat jugore ishin të gatshëm dhe në gjendje të planifikonin, siguronin dhe zbatonin më shumë infrastrukturë arsimore, shëndetësore dhe transporti për qytetarët e tyre sesa katër komunat në veri”, tha ai.

Për këtë kreu i Qeverisë ka fajësuar qeverinë e Serbisë për, siç ka thënë, privimin e këtyre katër komunave veriore.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga qeveria e Serbisë për privimin e këtyre 4 komunave veriore. Detyrimi ndaj qytetarëve vendas nëpërmjet një grushti kriminelësh, janë të përfshirë në drogë, posedim të armëve e që janë në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, duhet të dënohet publikisht”, shkroi Kurti.