Kosova pranoi planin evropian, Bildt: Hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë
Foto:Laura Hasani/ Arkiv

Kosova pranoi planin evropian, Bildt: Hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

Aktuale February 07, 2023 - 13:47

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, e ka konsideruar si hap të rëndësishëm pranimin e planit evropian nga Qeveria e Kosovës.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Twitter, Bildt, ka thënë se kjo lëvizje do të ndikojë që të ecet tutje në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U desh pak kohë, por tani duket se ka një lëvizje të re në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Hap pas hapi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Bildti.

Ndërkaq, ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, duke shpërndarë statusin e Bildtit, ka thënë se normalizimi si një pararendës për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkon që Bashkimi Evropian të lëviz në drejtim të shteteve mosnjohëse.

“Ky është çelësi për të shmangur recetat që çojnë në ‘zgjidhje të ngrira’. Duke pasur parasysh peizazhin e ri të sigurisë në Evropë, Bashkimi Evropian duhet t’i hapë rrugë Kosovës drejt BE-së”, tha Bushati.

Reagimi i Bildtit erdhi pasi Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë Kurti e ka konsideruar një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha të hënën se pas pranimit të planit të BE-së nga Kosova do të vazhdojnë diskutimet në nivel të lartë.

“Unë udhëtova në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurtin dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe po në Beograd për të takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim propozimin e Bashkimit Evropian. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, shkroi Lajçaku.