“Bazë e mirë”, çka dihet për planin franko-gjerman?

“Bazë e mirë”, çka dihet për planin franko-gjerman?

Aktuale February 07, 2023 - 11:22

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dje drekoi me Mirosllav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian. E pas drekës, Kurti e dha një lajm të rëndësishëm.

I pari i Ekzekutivit tregoi se Kosova e pranon planin franko-gjerman, që tash po quhet Marrëveshja e Brukselit. “Bazë e mirë” e “platformë solide” u quajt sërish nga kryeministri Kurti marrëveshja e propozuar nga BE-ja.

Por përmbajtja e planit franko-gjerman ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse kanë kaluar muaj që kur ka filluar diskutimi mbi këtë marrëveshje.

Pranimi i planit franko-gjerman nga ana e Kosovës u kuptua nëpërmjet një cicërime të kryeministrit Kurti, i cili e cilësoi drekimin me Lajçakun si “bashkëbisedim të mirë”.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Mirosllav Lajçak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, shkroi dje, ndër të tjera, Kurti.

Çka ka në plan?

Në fakt, plani franko-gjerman ende nuk është bërë zyrtarisht publik, ndonëse ka muaj që po diskutohet. Pra megjithëse e pranoi Kosova, përmbajtja e tij zyrtare mbetet e panjohur për qytetarët e Kosovës. Madje, siç ka treguar vetë Kurti, së pari kjo marrëveshja u paraqit në muajin shtator të vitit të kaluar gjatë një takimi në Bruksel.

“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje”, theksonte ditë më parë Kurti.

Por në publik janë raportuar disa përmbajtje të planit franko-gjerman. Ajo çfarë dihet është se ky plan i ka gjithsej 11 pika, ashtu është konfirmuar nga ana e Lajçakut. Megjithatë, problemi kryesor i këtij plani është se nuk flet për njohje reciproke. Sigurisht, kjo pyetje u shtrua edhe dje, kur Kurti e shpalosi se Kosova e njeh planin franko-gjerman.

“Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, pyeti kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Deri tani janë botuar dy përmbajtje të planit franko-gjerman, me përmbajtjen që pretendohet të jetë e afërt me propozimin final të shtruar nga BE-ja. Dy javë më parë, gazeta opozitare serbe “Danas” publikoi një pjesë të asaj që pretendoi se është “propozimi franko-gjerman” i marrëveshjes bazë të Kosovës me Serbinë.

“Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare,” – thuhej në mënyrë eksplicite në këtë nen, që ndodhet mes nëntë nenesh tjera.

Në raportimin e saj, Danas shkruante se Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk përmendet me emër.

“Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk përmendet specifikisht në këtë dokument, që tashmë ka qarkulluar në rrjete sociale, por formimi i saj mund të konkludohet në mënyrë indirekte përmes të tjera pjesëve”, shkruante Danas, transmeton Nacionale.

“Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.” – shkruhej në nenin 1 të përmbajtjes së publikuar nga Danas.

Në këtë marrëveshje përmendej edhe statusi i Kishës Ortodokse serbe, por mungonte njohja reciproke mes dy vendeve.

“Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë nivel të lartë të mbrojtjes për trashëgiminë kulturore e religjioze serbe, në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”, shkruante tutje Danas.

Edhe mediumi i specializuar në politikat e BE-së, Euroavtic më 10 nëntor, kishte botuar një përmbajtje të pretenduar të planit franko-gjerman me gjithsej 9 nene.

“Neni 6: Kosova dhe Serbia vazhdojnë në respektimin e ndërsjellë të juridiksionit të njëra-tjetrës.

Neni 8: Kosova dhe Serbia duhet të kenë misione të përhershme. Ato duhet të vendosen në selitë e qeverive përkatëse. Çështjet praktike sa i përket themelimit të misioneve duhet të trajtohen ndaras”, thuhej në nenin 6 dhe 8 të përmbajtjes së publikuar nga ana e Euroactiv-it.