
Askush plotësisht i kënaqur me Projektligjin për lirinë fetare
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk përmban ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, krahasuar me projektligjet e miratuara nga qeveritë e kaluara, vlerësojnë përfaqësues të bashkësive fetare.
Sociologu i religjionit, Ismail Hasani, në anën tjetër, thotë se në këtë projektligj ka mjaft terme të ngatërruara, të cilat më vonë mund të nxjerrin probleme.
Megjithatë, në rast se projektligji miratohet nga Kuvendi i Kosovës, bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, i cili me Ligjin për lirinë fetare - i miratuar në vitin 2006 - nuk është përcaktuar.
Projektligji i miratuar së voni njeh ekzistencën e shtatë bashkësive fetare në Kosovë, të cilat përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.
Ato janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.
Projektligjet e miratuara në vitin 2020, 2017 dhe 2014, që nuk janë shndërruar në ligj për shkak të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës, kanë njohur ekzistencën e gjashtë bashkësive fetare, duke mos e përfshirë si të veçantë Komunitetin Bektashian të Kosovës.
Shumica e këtyre bashkësive e shohin projektligjin e ri si mjaft liberal. Por, kanë edhe vërejtje dhe mospajtime, të cilat, siç thonë, i kanë shprehur edhe gjatë shqyrtimit publik të tij, në dhjetor të vitit të kaluar.
BIK: Projektligji mundëson fraksione brenda një bashkësie
Të gjitha bashkësitë fetare pajtohen në një pikë - se duhet të ketë një ligj që e njeh statusin e tyre juridik.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka për qëllim organizimin e jetës fetare të 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam, konsideron se projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk është varianti që është pritur nga kjo bashkësi.
Ramadan Shkodra, përfaqësues i BIK-ut, thotë se kjo bashkësi ka kërkuar që të ruhet sistemi unitar brenda bashkësive fetare. Por, sipas tij, projektligji aktual, nëse miratohet si ligj, do të mundësojë krijimin e shumë fraksioneve brenda një bashkësie.
“Ne jemi në favor të asaj që të njihet ana historike e bashkësive fetare, të njihet rruga e formimit të bashkësive fetare. Ne jemi ‘për’ që çdo qytetari të Kosovës t’i garantohet liria e besimit. Por, liria e organizimit është krejt diçka tjetër. Me këtë ligj, në Kosovë do të kemi shumë telashe. Nesër mund të kemi bashkësi të këtyre ideologjive ekstremiste. Për anakronizëm, vetë Qeveria e Kosovë i ka ndaluar OJQ-të [organizatat joqeveritare] me baza fetare. Ndërkaq, tani krijon rehati që të krijohen shumë bashkësi fetare të një besimi”, thotë Shkodra për Radion Evropa e Lirë.Në nenin 7A të projektligjit të ri thuhet se në Kosovë “mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare”, përmes kërkesës për regjistrim, si dhe me kushtin që kur regjistrohen “i kanë së paku 100 anëtarë” shtetas të Kosovës, të moshës madhore.
Kisha Katolike: Vërejtje lidhur me inspektimet financiare
Nga Kisha Katolike thonë se ky projektligj, në parim, është i pranueshëm.
Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë se si ipeshkvi kanë dhënë sugjerime dhe se një nga vërejtjet e tyre ka pasur të bëjë me çështjet ligjore të inspektimit të të hyrave dhe daljeve financiare të kishës.
“Aty i kemi pasur vërejtjet tona, sepse, në qoftë se investon Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës atëherë ka të drejtë për rishikimin e të hyrave dhe daljeve. Ndërkaq, ato që janë ekskluzivisht brenda kishës, siç janë ofertat brenda kishës nga besimtarët... Ne nuk e kemi pranuar këtë çështje”, thotë kancelari ipeshkvor i Kosovës.Në Nenin 12B të projektligjit, i cili përcakton raportimin financiar, thuhet se të gjitha bashkësitë fetare “janë të obliguara që deri më 31 mars të vitit pasardhës, t’i dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak”.
KOS: Nuk patëm mundësi të konsultohemi për projektligjin
Kisha Ortodokse Serbe (KOS), në dhjetor të vitit 2022, ka dërguar dy përfaqësues të saj në konsultimet e organizuara nga Qeveria e Kosovës lidhur me projektligjin, por ata “nuk kanë mundur të kenë qasje të plotë në këto konsultime dhe as t’i japin sugjerimet e veta”, për shkak se atyre “nuk u është siguruar përkthimi në gjuhën serbe, siç parashihet edhe me ligj”. Kështu thotë Millosh Periq, sekretar i Dioqezës së Prizrenit, në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Ne jemi duke punuar në analizën e draftit të ri dhe avokatët tanë do të konsultohen me ekspertët përkatës, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë. Projektligji për të cilin Kisha jonë ra dakord para disa vitesh dhe ishte aktual deri vonë, u ndryshua në disa pika të rëndësishme, ndërsa ne nuk patëm mundësi të shprehim kundërshtime apo të konsultohemi për të”, thotë Periq.
Ai shton se, megjithatë, është mirë që në projektligjin e ri, ashtu sikurse edhe në atë të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe është regjistruar me emrin e saj ligjor, i cili është i pranuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, ligji do të garantojë paprekshmërinë e strukturës së brendshme të të gjitha bashkësive fetare, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe.
“Kjo do të thotë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është një entitet i pandashëm me Kishën Ortodokse Serbe, selia e së cilës është në Beograd”, thotë Periq.