Osmani pritet në takim nga kryetari i Kuvendit të Islandës

Osmani pritet në takim nga kryetari i Kuvendit të Islandës

Aktuale February 03, 2023 - 10:14

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimeve me presidentin dhe kryeministren e Islandës, është pritur sot në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Ármannsson.

Presidenca ka njoftuar se në takim me kryetarin e Kuvendit, Ármannsson, Osmani ka falënderuar Islandën për mbështetje ndaj Kosovës, duke potencuar rëndësinë që ajo të vazhdojë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.

“Në këtë frymë, presidentja ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit dypalësh përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, në këtë kohë përcaktuese për Evropën”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Osmani dhe kryetari i Kuvendit Ármannsson kanë biseduar edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Presidentja ka thënë se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe avancim të demokracisë, vlerësuar edhe në indekset e fundit ndërkombëtare, ku Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm. Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar për paqe dhe siguri të qëndrueshme”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Kuvendit Ármannsson e falënderoi presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Islanda është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona. /Zëri