Mjekë, infermierë e zyrtarë komunalë ankohen për koeficientin, Avokati i Popullit: Po e analizojmë ligjin
Foto: Laura Hasani

Mjekë, infermierë e zyrtarë komunalë ankohen për koeficientin, Avokati i Popullit: Po e analizojmë ligjin

Aktuale February 02, 2023 - 16:48

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 10 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik deri tani, kur ka kaluar vetëm një ditë pasi Qeveria e Kosovës e përcaktoi vlerën e koeficientit.

Nga ky institucion, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, kanë bërë të ditur se ankesa kanë marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë, sindikata, organizata joqeveritare, infermierë e mjekë.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 10 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, dhe mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë.

“Pas kësaj, Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro.

Ndonëse ekzekutivi e prezantoi si sukses të paarritur më parë, kjo vlerë ngjalli pakënaqësi të shumta.

Sindikatat e Shërbyesve Civilë, infermierëve, policëve e zjarrfikësve thanë se vlera prej 105 euro është e papranueshme për ta dhe paralajmëruan veprime sindikale.

Ndërsa, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thanë se megjithëse koeficienti nuk i përmbush pritjet e mësimdhënësve, nuk do ta dërgojnë Ligjin për Paga në Gjykatë Kushtetuese. Por, atakimin e tij në instancën më të lartë gjyqësore e paralajmëroi Këshilli Prokurorial i Kosovës, pasi sipas tyre, me këtë ligj është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial.