
Se a i sheh zgjedhjet si referendum për Asociacionin, përgjigjet Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media u pyet se a i sheh zgjedhjet si referendum për Asociacionin.
I pari i vendit u përgjigj se gjatë vitit 2022 ka pasur zgjedhje brenda Vetëvendosjes e një vit më parë edhe zgjedhje parlamentare e lokale, andaj, sipas tij, Serbia s’mund të vendosë për Kosovën.
“Zgjedhje në vitin 2022 ka pasur në Lëvizjen Vetëvendosje. Në vitin 2021 ka pasur zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale, s’mund të vendosë Serbia për Kosovën, së shpejti kremtojmë 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe ne jemi krenarë me të arriturat në 2 vjetët e fundit. Ju e patë dje kur ‘Transparency International’ tregoi se në dy vjetët e fundit për 20 vende jemi më lart sa i përket luftimit të korrupsionit dhe imazhit të vendi”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Kurti tha se një asociacion njetnik nuk është i mundur në një Kosovë shumetnike, pasi kur e shpalli pavarësinë Kosova nuk u cilësua si një vend shqiptar.
“Një asociacion njetnik nuk është i mundshëm në një Kosovë multietnike. Kur e kemi shpallur pavarësinë para 15 vjetësh thoshin se ndonëse Kosova me mbi 90 për qind shqiptarë s’bën të cilësohet vend shqiptar”, u shpreh kryeministri. /klankosova