Hovenier: S’mbështetim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës

Hovenier: S’mbështetim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës

Aktuale January 31, 2023 - 15:40

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se "nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës" ose që "kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik" të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Hovenieri.

Ai i bëri komentet pas një diskutimi që organizoi të martën Ambasada Amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.

Hovenieri tha se SHBA-ja pret që “Kosova t'i përmbushë obligimet e saj”.

“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenieri.

Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se "diskutimi ishte interesant".

"Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë", tha Rashiqi, pa dhënë detaje.

Rashiqi, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se të pranishmit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.

“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, tha ai. /REL