Sadiku: Kurti s’tregoi transparencë me pranimin e drafteve për Asociacionin
Foto: Laura Hasani

Sadiku: Kurti s’tregoi transparencë me pranimin e drafteve për Asociacionin

Aktuale January 31, 2023 - 08:10

Analisti politik Arbnor Sadiku ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur një transparencë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Ai thotë se ekzekutivi nuk ka treguar kohën se kur është bërë pranimi i drafteve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas Sadikut, në këto drafte kanë pasur qasje vetëm Zyra e Kryeministrit, e opinioni publik dhe shoqëria civile nuk kanë qenë fare të njoftuar.

“Qeveria e Kosovës realisht nuk ka treguar se ka pasur së pari një transparencë rreth dialogut Kosovës-Serbi, të njëjtën kohë edhe pranimit të drafteve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni nuk është diskutuara nga niveli poshtë-lart, por është diskutuar nga niveli lart-poshtë, që vetëm kanë pasur qasje Zyra e Kryeministrit dhe zëvendëskryeministri, kurse totalisht shoqëria civile dhe opinioni nuk kanë qenë të informuar për Asociacioni e Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.

Sadiku po ashtu shtoi Qeveria nuk është duke dhënë edhe opsione të tjera sa i përket kësaj çështjeje.

Në një intervistë për Ekonominë Online, ai tha se Kosova është në momentin final ku duhet të kryhet draft-dokumenti për Asociacionin.

“Ne nuk kemi parë që ka pasur edhe një ide shtesë ose informata plus në kuptimin e pasjes së opsioneve A, B dhe C nëse nuk e pranojmë këtë Asociacion një etnik siç është duke e quajtur LVV-ja dhe kësisoj kjo lenë pasoja të mëdha pasi që ne jemi në momentumin final, ku kjo duhet të kryhet si draft dokument dhe mundësitë kanë qenë të mëdha që Kosova të ofrojë edhe opsione të tjera që pastaj fasilituesit e dialogut do t’i diskutoni edhe me palën serbe që do të mundë të ofrohej edhe një draft më i mirë i Asociacionit”, tha ai.