Lushtaku: Shpresojmë që Qeveria të reflektojë shpejt pas vërshimeve në Skenderaj

Lushtaku: Shpresojmë që Qeveria të reflektojë shpejt pas vërshimeve në Skenderaj

Aktuale January 30, 2023 - 18:16

Mërgim Lushtaku, deputet i Partisë Demokratike ishte mysafir i ditës së sotme në emisionin “N’kolonë me Shoqen” në Radio Prishtina, i cili foli për situatën e vërshimeve në komunën e Skenderajt.

Lushtaku ka thënë se ka qenë e pakuptueshme kërkesa që Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i dërgohet në mënyrë elektronike dhe zyrtare kërkesa që t’i dërgojë trupat e saj në Skenderaj, kur sipas tij, në raste të tilla nuk përfillet aspak protokolli, raporton “Zeri.info”.

“Kur është gjendja emergjente dhe e jashtëzakonshme duhet të lihen anash protokollet dhe burokracitë. Në këtë drejtim edhe ne jemi çuditur sepse në fund të ditës nuk është as Kraleva por është Drenica dhe është pjesë e Kosovës dhe në këtë drejtim çdo qytetar është i barabartë para ligjit dhe para kërkesës sidomos para rastit emergjent dhe ne jemi çuditur se si në atë kohë i ka ra ndërmend me i thënë kryetarit bëni kërkesë, kur kryetari në atë kohë ka qenë në fshatrat të cilat kanë qenë të prekura dhe besa sipas informacioneve nuk ka pasur as rrjet që me e bërë edhe kërkesën sepse kanë qenë vërshimet aq të shpejta sa s’kanë pasur mundësi t’i presin edhe zjarrfikësit dhe e dini shumë mirë ka qenë shumë virale kur zyrtarët të komunës në këtë rast zëdhënësi i komunës dhe drejtori i Kulturës, Amir Lushtaku dhe Alban Berisha kanë ndihmuar dy të moshuar që t’i shpëtojnë nga vërshimet dhe nuk kanë pasur mundësi që t’i presin zjarrfikësit apo Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe është dashur që të ndërhyjnë vet, sepse shihet qartë që ka pasur një neglizhencë ndoshta me qëllim, ndoshta pa qëllim, por e kemi parë që Qeveria në përgjithësi nuk e ka përvojën edhe ndonjëherë e dëgjoni edhe nga ne që, në kritikën tonë pjesën kur i themi se jeni ende janë praktikanta, por u bënë dy vite dhe nuk po mësojnë, kështu që këta praktikanta duhet me lëshua vendin e tyre dhe duhet të shkojnë tjetër kund ku kanë mundësi të aftësohen ma lehtë edhe të më shpejt”, ka thënë Lushtaku në Radio Prishtina.

Ai ka thënë se deri më tani Qeveria nuk ka ofruar ndonjë ndihmë konkrete.

“Deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete nga Qeveria, ky është realiteti. Ne shpresojmë dhe besojmë që edhe reflekton Qeveria. E ka thënë në takimet e shumta, e ka mirëpritur edhe Komuna e Skenderajt, në këtë rast krerët e komunës, zoti Fadil Nura kryetar i Komunës edhe me gjithë stafin e tij që janë para një sfide të jashtëzakonshme edhe se me buxhet komunal nuk është e mundshme t’i mbështesin qytetarët dhe dëmet çfare janë kanë shkaktuar vërshimet, andaj është e nevojshme që Qeveria si çdo komunë të tjera t’i mbështes në këto pasoja të mëdha të vërshimeve, ta mbështes edhe Skenderajn. Mbesim me shpresë që do të reflektojë sa më shpejt. Ne e kemi diskutuar edhe në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere mundësinë e vizitës në komunat e prekura, jo vetëm Skenderajn, por edhe komunat e tjera. Shpresojmë që të kemi sa më shpejt edhe plotësim-ndryshimin e ligjit për ndarje të buxhetit në këtë drejtim që t’ia lehtësojmë qytetarëve këtë sfidë çfarë e kanë përballë vetes e sidomos atyre qytetarëve të cilët gjatë tërë atyre viteve sa kanë investuar në jetët e tyre, shtëpitë e tyre dhe tash para vetes i shohin vetëm gërmadhat”, u shpreh Lushtaku. /Zëri

Më poshtë e gjeni intervistën e plotë: