Edhe PDK-ja kërkon shfuqizimin e rritjes së tatimit në pronë: Kurti po e zhyt vendin në krizë

Edhe PDK-ja kërkon shfuqizimin e rritjes së tatimit në pronë: Kurti po e zhyt vendin në krizë

Aktuale January 30, 2023 - 14:34

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media, ka kërkuar nga Qeveria ta bëjë shfuqizimin e rritjes së tatimit në pronë.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa, ka thënë se me këtë veprim është shpërfaqur mungesa e konsideratës për vështirësitë ekonomike që po kalojnë qytetarët e vendit, raporton Zeri.info.

“Qeveria e Kosovës po e zhyt vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikë-bërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve. Në rastin e tatimit në pronë, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo qeveri po bënë politikë shkel e shko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë. Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumë milionësh të ambasadorit Martin Berishaj”, u shpreh ai.

Kjo parti e konsideron të papranueshëm rritjen e tatimit në pronë në këtë kohë që vendi përballet me krizë ekonomike.

“Shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë në këtë kohë të vështirë për qytetarët e Kosovës është plotësisht i papranueshëm. Për më tepër, rivlerësimi i pronave që çoi në shtrenjtimin e faturave është bërë duke u bazuar në metodologji dhe kritere jotransparente për publikun dhe duke mos i marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur për sa i përket zonimit dhe kërkesave të komunave për më tepër fleksibilitet në normat e tatimit në pronë. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022, ndërsa gjatë vitit 2023 kërkohet që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”, theksoi Mustafa.

Në anën tjetër deputeti Ferat Shala ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së që nga nesër do të ndërmarrin nismën ligjore për amendamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Ai ndër të tjera ka thënë se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK-ja do të propozojë të hapet një debat për ta rishikuar në detaje këtë ligj.

“Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: Normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; Zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; Kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj. Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që i lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit siç ka qenë para rritjes së fundit”, tha ai ndër të tjera. /Zëri