LDK-ja Qeverisë: Mos u fshihni pas akuzave populiste ndaj opozitës, trajtojeni Asociacionin në koordinim me aleatët

LDK-ja Qeverisë: Mos u fshihni pas akuzave populiste ndaj opozitës, trajtojeni Asociacionin në koordinim me aleatët

Aktuale January 30, 2023 - 10:39

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se është ftuar në takimin e organizuar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë për të diskutuar rreth Asociacionit.

Përmes një komunikate, LDK-ja ka thënë se do të mbështetë procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe më përfshirje të plotë të SHBA-së, raporton Zeri.info.

“Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen reciproke në thelb të saj mbesin të pandryshueshme”, thuhet ndër të tjera.

LDK-ja ka vlerësuar se çështja e Asociacionit është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese e institucioneve të Kosovës, në veçanti e Qeverisë.

“Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitare, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme. LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saj si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë”, thuhet ndër të tjera. /Zëri