“Injorimi” i Kurtit nga Ambasada Amerikane po shihet si shenjë përkeqësimi i raporteve mes palëve

“Injorimi” i Kurtit nga Ambasada Amerikane po shihet si shenjë përkeqësimi i raporteve mes palëve

Aktuale January 29, 2023 - 23:50

Për Asociacionin, ambasadori amerikan Jeff Hovenier do të diskutojë në Prishtinë, të martën me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë, por prezentë nuk do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit tha se nuk është ftuar në takim, gjë e cila po vlerësohet të jetë tregues i përkeqësimit të raporteve.

Kanë mbetur edhe dy ditë nga takimi i thirrur nga ambasada amerikane në Kosovë ku do të diskutohet për Asociacionin.

Në një temë të rëndësishme për vendin, i ftuar nuk është edhe kryeministri Albin Kurti.

Mos ftesa për Kurtin po konsiderohet sinjal për përkeqësim të raporteve me ndërkombëtarët.

Belgzim Kamberi nga Instituti “Mousine Kokalari”, ka thënë se mbetet të shihen si po shkojnë raportet e Kurtit me Amerikën.

“Në rast që në këtë takim nuk do të ketë përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës, atëherë kjo do të vërtetojë përkeqësimin e komunikimit dhe të çështjeve të asociacionit të komunave serbe midis qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë. Kjo dëshmon se do të vazhdojnë presionin për të jetësuar këtë Asociacion. Do të mbetët të shihet dhe të vërtetohet që marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe kryeministrit të Kosovës, janë në përkeqësim ose jo mes dy palëve”, deklaroi Kamberi për RTV Dukagjinin.

Ky injorim po sipas njohësit të çështjeve politike, Arbnor Sadikut është një mesazh i qartë për kryeministrin.

“Injorimi që i ka bërë ambasada amerikane, kryeministrit Albin Kurti është dëshmi që pala kosovare nuk është një palë bashkëpunues me QUINT-in për arritjen e një marrëveshje për Asociacionin e komunave më shumicë serbe dhe në të njëjtën kohë është paralajmërim se vërtetë SHBA-të, Asociacionin në Kosovë mund ta bëjnë edhe pa Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin”.

E sipas profesorit Dritëro Arifi, takimi i thirrur nga SHBA-të është një tregues që Qeveria po ikë nga përgjegjësia.

“Nga ana tjetër, nga niveli i dytë e shikojmë si një farë lloj ikje nga përgjegjësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një farë mënyrë të gjithë pushteti po themi kushtimit ekzekutiv ja ka dorëzuar Ambasadës amerikane, pikërisht po flas vetëm për këtë çështje (Asociacionin), kjo po tregon për shkak se SHBA-të e kanë marrë këtë çështje seriozisht për të përfunduar këtë pikë të marrëveshjes së Brukselit dhe që mund të shkojmë në marrëveshje finale”.

Se nuk u ftua në takim e tha vetë kryeministri Albin Kurti ditë më parë.

Megjithëkëtë, ftesën në takimin e 31 janarit e ka pranuar Vjosa Osmani, zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi e ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Po ashtu në takim janë ftuar edhe përfaqësues të partive politike, shoqëria civile e diplomatët.