Haxhiu thotë se Zejnullahu duhej të jepte dorëheqje pas skandaleve në shëndetësi
Foto: Laura Hasani

Haxhiu thotë se Zejnullahu duhej të jepte dorëheqje pas skandaleve në shëndetësi

Aktuale January 26, 2023 - 13:52

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas dorëheqjes së u.d. të drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu.

Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Zejnullahu është “viktima” e radhës e klaneve dhe grupeve të interesit në shëndetësi, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Çka po ndodh me shëndetësinë?

Dr. Pranvera, “viktima” e radhës e klaneve dhe grupeve të interesit në shëndetësi.

Dr. Pranvera do të duhej të dorëhiqej pas skandaleve të njëpasnjëshme në sektorin e shëndetësisë, por ajo duket te jetë “viktima” e radhës së grupeve te interesit të instaluara në shëndetësinë tonë.

Dr. Pranvera dha dorëheqje, por Bordi i SHSKUK-së që keqmenaxhon me miliona euro vazhdon ta ketë mbështetjen e Qeverisë.

Skandale, keqpërdorime, dorëheqje e largime nga sektori publik. Shëndetësia jonë çdo ditë po shkon drejt degradimit

Nuk ka përmirësim të shërbimeve shëndetësore, nuk ka mbështetje për profesionistët shëndetësorë. Lëre që mungojnë rezultatet, por as të emëruarit politikë nuk po gjejnë qetësi.

Siç po shihet, degradimi dhe shkatërrimi i këtij sektori dhe jo vetëm nuk është i rastësishëm.