Kurti: Ata që po e kërkojnë Asociacionin, të tregojnë se ku gaboi Ahtisaari
Foto: Laura Hasani

Kurti: Ata që po e kërkojnë Asociacionin, të tregojnë se ku gaboi Ahtisaari

Aktuale January 26, 2023 - 13:00

Kryeministri Albin Kurti ripërsëriti të enjten se Kushtetuta dhe Pavarësia e Kosovës nuk lejojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një deklarim për media, kreu i Ekzekutivit tha se ata që e kërkojnë Asociacionin duhet të tregojnë se pse nuk mjafton plani i Ahtisaarit.

“Nuk mund të kërkosh Asociacion njetnik e të mos tregosh se ku gaboi Ahtisaari”, deklaroi Kurti.

Ai tutje u shpreh se ata që kërkojnë Asociacion njetnik kërkojnë edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

E sipas tij, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë duhet të ndryshohet Kushtetuta e kësaj të fundit.

“Po insistohet në një asociacion njetnik. Ne duhet të diskutojmë, mirëpo kushtetutshmëria dhe pavarësia e Kosovës nuk durojnë asociacion njetnik. Kjo është shumë e qartë edhe për ata që nuk janë jurist. Unë jam për respektimin e të drejtave të pakicave, mirëpo asociacionet e komunave mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë”.

“Ata që kërkojnë asociacion njetnik kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, e unë mendoj se për normalizim të marrëdhënieve duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë”, tha mes të tjerash Kurti.

Teksa foli për takimin që zhvilloi të mërkurën mbrëma me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak, ai tha se nuk do të tolerojnë që në këtë proces, Asociacioni të vihet si parakusht.

Sipas tij, asnjë nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e Brukselit nuk duhet të ketë prioritet hierarkik dhe se “10 nenet në planin evropian nuk tolerojnë që një nen nga fundi të sillet si i pari”.