Përfaqësuesi britanik: KE-ja e ndarë nga BE-ja, anëtarësimi i Kosovës të mos mbahet peng nga dialogu
Foto: Laura Hasani

Përfaqësuesi britanik: KE-ja e ndarë nga BE-ja, anëtarësimi i Kosovës të mos mbahet peng nga dialogu

Aktuale January 26, 2023 - 12:50

Anëtari i delegacionit të Britanisë së Madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, John Howell, gjatë seancës së djeshme ka bërë thirrje që Kosova të bëhet anëtare e KE-së.

Ai tha se anëtarësimi i saj në KE nuk duhet të pengohet nga dialogu që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja, raporton Express.

“Kosova nuk duhet të mbahet peng për progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Ne duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe ka vlerat dhe parimet e tij në bazë të të cilave merren vendimet”, tha Howelli në fjalën e tij.

Në po këtë seancë të Asamblesë Parlamentare u diskutua edhe çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, u bëri thirrje pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën që ta bëjnë këtë. Thirrjen ia drejtoi po ashtu edhe Serbisë.

“Kam një thirrje edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 15 vjet pas pavarësisë së saj dhe një vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha për të vënë paqen dhe stabilitetin në radhë të parë, paqen dhe stabilitetin tonë, paqen dhe stabilitetin e Evropës”, tha ai.

Pro Kosovës foli edhe anëtari i delegacionit ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i cili tha se është në interesin e të gjithëve që ta pranojnë realitetin e Kosovës.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi, atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë. Ukraina, vendi im, është një prej tyre. E kam dërguar projektligjin në Parlamentin e Ukrainës për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jam i sigurt se kjo do të ndodhë shumë shpejt sepse ky është realiteti. Ne duhet t’i emërojmë gjërat ashtu siç janë”, tha ai.