Kurti: Asociacioni, e vetmja marrëveshje e Brukselit që s’e ka kaluar testin e Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

Kurti: Asociacioni, e vetmja marrëveshje e Brukselit që s’e ka kaluar testin e Kushtetueses

Aktuale January 26, 2023 - 11:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është e vetmja marrëveshje e arritur në Bruksel, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Këtë deklarim ai e bëri para mediave, pasi u pyet se a ka presion të madh nga ndërkombëtarët për formimin e Asociacionit.

Kurti tutje u shpreh se ka insistim nga faktorët ndërkombëtarë që kjo marrëveshje të theksohet edhe më shumë, por sipas tij, ajo tashmë është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013 e pastaj i elaburuar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë.

Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, është marrëveshje njëmend e theksuar në kuptimin juridik dhe kushtetues. Tash procesi negociator do të duhej që të na shpjerë përpara”, deklaroi kreu i Ekzekutivit.

LEXO EDHE: Kurti pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër