Kurti pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër
Foto: Laura Hasani

Kurti pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër

Aktuale January 26, 2023 - 11:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai ka thënë se plani i ashtuquajtur franko-gjerman duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti, teksa foli edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

“Diplomacia fluturuese u është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje, e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, tha Kurti. /eo