Analistët e konsiderojnë taktizim politik deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin

Analistët e konsiderojnë taktizim politik deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin

Aktuale January 17, 2023 - 23:37

Në 5-vjetorin e vdekjes së Oliver Ivanoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ngriti lart figurën e politikanit serb. Kjo solli reagime të shumta në shoqëri, duke pasur parasysh se ky i fundit ishte gjykuar e dënuar nga EULEX-i për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Kurti përmes një video-mesazhi tha se Ivanoviqi ka qenë “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.

Mirëpo kjo deklaratë e Kurtit ngjalli reagime të ashpra nga opozita dhe shoqëria civile.

Analistë e politikanë në RTV Dukagjinit mendojnë se deklarata e Kurtit ka qenë taktizim politik, por që sipas tyre ka pasojë për imazhin e Kurtit.

Ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Milazim Gashi thotë se kryeministri me këtë deklaratë më shumë ka taktizuar me komunitetin serb.

“Kryeministri më shumë po taktizon me komunitetin serb sesa që merret me përvjetore si ai i Oliver Ivanoviqit. Mirëpo me këto deklarata Kurti po krijon mjegulli te elektorati i vet duke pasur parasysh rolin e një kryebanditi si Oliver Ivanoviq në Mitrovicë”, deklaroi Gashi.

Derisa ish-zëvendëskryeministri Dardan Gashi thotë se Oliver Ivanoviqi ka qenë i akuzuar dhe dënuar nga EULEX-i për krime lufte në Mitrovicë dhe sipas tij ai ishte ndër pionierët e ndarjes së Mitrovicës.

“Oliver Ivanoviqi është ndër më meritorët për ndarjen e Mitrovicës. Ai është një prej kreatorëve për situatën që kemi sot në Mitrovicë. Ai ka marrë pjesë në krime dhe deklarata e Kurtit nuk arsyetohet. E kuptoj që Kurti po bënë luftë nga larg me Vuçiqin, por me këtë deklaratë nuk besoj se i ka marrë ndonjë votë Vuçiqit”, deklaroi Dardan Gashi.

Nga ana tjetër nënkryetari i PSD-së Nol Nushi thotë se Oliver Ivanoviq ka bërë spastrim etnik në Mitrovicë.

“Për figurën e Ivanoviqit ka pasur konsensus në Kosovë se ai ka qenë pjesëmarrës në krimet e luftës, pjesëmarrës në krimet e pasluftës si drejtues i “Rojave të urës” dhe për spastrimin etnik dhe ndryshimin e demografisë në atë zonë. Ai ka qenë sekretar në ministrinë e Serbisë për Kosovë. Nuk e di nëse ai ka pasur ndonjë rol pozitiv për Kosovën. Ndoshta është e vetmja figurë që nderohet edhe nga Kurti edhe nga Vuqiqi. Të dy janë liderë që mbi kufoma instrumentalizojnë debate për interesa politike”, ka deklaruar Nol Nushi.