“E mallkoj dorën që të votova”, motra e viktimës së Ivanoviqit i reagon ashpër Kurtit
Motra e viktimës së Ivanoviqit, Flora Idrizi Peci, i ka reaguar ashpër kryeministrit Albin Kurti, pas përkujtimit të Oliver Ivanoviqit në pesë vjetorin e vdekjes së tij.
Flora Idriz Peci, ka thënë se Oliver Ivanoviqi i ka vrarë vëllain.
Tutje ajo ka thënë se Kurti i ka ripërtëri plagët e shqiptarëve me videon e tij përkujtuese për Ivanoviqin.
Mes tjerash, Idrizi-Peci ka shkruar se mallkon dorën e saj për votën që i dha Kurtit.
“E mallkoj dorën e mendjen time që ta dhashë votën, unë motra e të vrarit”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje në Facebook të hënë, ka përkujtuar Oliver Ivanoviqin, politikanin serb që u vra pesë vjet më parë.
Kurti e konsideroi Ivanoviqin një person të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.
Më 16 janar të vitit 2018, ishte vrarë para zyrave të tij në veri të Mitrovicës, lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq. Ai ishte vrarë përmes një atentati me armë zjarri, ku ishte qëlluar me gjashtë plumba nga një veturë në lëvizje. Ivanoviqi dyshohej se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e 14 prillit 1999, dhe në fushatën për dëbimin e shqiptarëve nga veriu një vit më vonë, që kishte rezultuar me 10 të vrarë.
Ai ishte akuzuar e dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Veri të Mitrovicës me 9 vjet burg. Dënimi ishte marrë në janar të vitit 2016, ndërsa në shkurt të vitit 2017 Gjykata e Apelit, e ktheu të gjithë rastin në rigjykim.
Ivanoviq si ish-paramilitar serb dyshohej për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, gjatë prillit të vitit 1999, kur ishin vrarë dhjetëra shqiptarë. Ivanoviq dyshohej për pjesëmarrje në vrasjen e dhjetë shqiptarëve, përfshirë një fëmije 13 vjeç.