Ramush Haradinaj kujton veprimtarin Smajl Hajdaraj dhe arkeologen Edi Shukriu
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar eprorin e UÇK-së, Smajl Hajdaraj në 21-vjetorin e vrasjes.
‘Smajl Hajdaraj ishte atdhetar shembull gjithmonë në shërbim të Atdheut, si epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe pas çlirimit, si deputet i Kuvendit të Kosovës. Kisha rastin ta njoh personalisht e të punojmë bashkë gjatë sfidës së ndërtimit të vendit”.
“Në 21-vjetorin e vrasjes së tij, kujtojmë me respektin më thellë veprën dhe shëmbëlltyrën e tij”, ka shkruar Haradinaj.
Në të njëjtën kohë Haradinaj ka reaguar me rastin e ndarjes nga jeta të arkeologes, Edi Shukriu.
“Gjithashtu, sot, me pikëllim mora lajmin për vdekjen e arkeologes sonë të pazëvendësueshme, intelektuale e rrallë e cila ishte pjesë e rëndësishme e secilës etapë të historisë sonë, Edi Shukriu”.
“Ngushëllime familjes, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Kosovës dhe gjithë atyre që e njohën”, thuhet tutje në njoftimin e Haradinajt.