Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari thotë se njëri i akuzuar ia kishte kërkuar 2500 euro për rregullim të vizës
Foto:Laura Hasani

Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari thotë se njëri i akuzuar ia kishte kërkuar 2500 euro për rregullim të vizës

Aktuale January 17, 2023 - 15:08

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari Fazli Sinani ka deklaruar se i akuzuari Ragip Gashi i kishte kërkuar 2 mijë e 500 euro që t’ia rregullonte vizën për djalin e tij.

Të akuzuarit në këtë rast: Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

Një deklarim të tillë dëshmitari Sinani e ka dhënë duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Speciale Florije Shamolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht dëshmitari Sinani deklaroi se qëndronte pranë deklaratës së dhënë në polici, duke shtuar se kishte tentuar të merrte vizë për djalin e tij për shkak se i kishte kushtet e rënda ekonomike.

Sipas dëshmitarit Sinani procedura kishte shkuar lidhje pas lidhje dhe se kishte dëgjuar që i akuzuari Gashi rregullonte viza të Italisë, ku më pas kishte rënë në kontakt me të njëjtin dhe ishin takuar dhe të njëjtit i kishte thënë se ishte i interesuar ta dërgonte jashtë djalin dhe vajzën e tij.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli, i njëjti tha se i akuzuari Gashi i kishte thënë që do të mundohej të i rregullonte vizën dhe më pas i kishte dhënë një qind e tridhjetë euro për sigurim për vizë.

Ndër të tjera dëshmitari Sinani, tha se i akuzuari Gashi i kishte kthyer paratë pasi që nuk i kishte dal viza duke shtuar se i njëjti pasaportën ia kishte bërë kopje dhe se në ambasadë kishte shkuar edhe vet të interesohej.

Dëshmitari Sinani deklaroi se i kishte dhënë të akuzuarit Gashi një “Iphone 4” atë kohë në vlerë rreth 250 euro të cilat i kishte zbatuar në shumën 2 mijë e 500 euro, edhe pse i njëjti i kishte premtuar se për tri javë del viza, kishin kaluar rreth 5 muaj.

Tutje sipas dëshmitarit Sinani i akuzuari Gashi ia kishte kthyer të hollat që ai ja kishte dhënë por telefonin “iPhone 4” nuk ia kishte kthyer, duke shtuar se gjatë takimeve të tyre askush nuk kishte qenë prezent.

Në fund dëshmitari e identifikoi të akuzuarin Gashi në sallë dhe shtoi se nuk ndihej i dëmtuar vetëm se kishte pasur vonesa në kthimin e të hollave.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Gashi, avokatit Diamant Zekaj dëshmitari Sinani tha se sigurimin shëndetësor dhe dokumentacionin e kishte përgatitur i akuzuari Gashi dhe se djali i të njëjtit nuk kishte marr vizë italiane.

Tutje duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Gashi, dëshmitari Sinani deklaroi se askush nuk kishte qenë prezent kur ai i kishte dhënë paratë të njëjtit duke shtuar se telefonin “iPhone 4” ia kishte dhënë për t’i plotësuar paratë ku më vonë ia kishte kthyer vetëm 2 mijë e 200 euro e jo edhe telefonin.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit, gjykatësit Vesel Ismaili, dëshmitari Sinani tha se dy muaj pas takimit të parë ia kishte dhënë paratë të akuzuarit Gashi dhe shtoi se i njëjti kishte qenë në dijeni se ai ishte i detyruar të shiste lopët për t’i bërë paratë.

Në anën tjetër u dëgjua dëshmitari, Bashkim Hoti, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte dhënë deklarata në polici dhe se nuk i kujtohej sigurt nëse kishte tentuar të merrte vizë.

Tutje dëshmitari Hoti tha se pasi që i kishte ardhur ftesa për gjykim familjarët i kishin treguar se kishte tentuar të marr vizë pasi që i njëjti para dy vitesh kishte pasur probleme shëndetësore dhe nuk i kujtohej.

Në pyetjen e gjykatësit Ismaili, dëshmitari Hoti deklaroi se afër një muaj ishte njoftuar se do të merrte pjesë si dëshmitar në këtë seancë, duke shtuar se me të akuzuarin Gashi as nuk ishte takuar e as nuk e njihte.

Më pas u dëgjua dëshmitari Fevzi Gubetini, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli deklaroi se,ai nuk kishte dhënë deklaratë në polici por vëllai i tij dhe tha se i njëjti kishte qenë i interesuar që vëllait të tij të ia rregullonte vizën.

I njëjti shtoi se nuk i kujtohej se a kishin biseduar me dikë lidhur me rregullimin e vizës, por i njëjti deklaroi se vëllai i tij nuk kishte arritur ta merrte atë vizë edhe pse ishte takuar me dikë në një kafene në Arbri, por para nuk i kishte dhënë askujt.

Në fund dëshmitari Gubetini tha se personin në fjalë nuk e njihte dhe se edhe sot po ta shihte nuk do ta njihte të njëjtin.

Kurse më pas u dëgjua dëshmitari Flamur Rexhepi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli tha se i kujtohej se kishte dhënë deklaratë në polici dhe se qëndronte pranë saj duke shtuar se kishte marrë vizë italiane në Ambasadë të Italisë.

Tutje, dëshmitari Rexhepi tha se atëherë si i ri kishte qenë i interesuar për vizë ku në një kafene në Prishtinë kishte biseduar me një person i cili i ishte paraqitur si një person që kishte agjenci dhe se po atë natë i kishte dhënë dokumentet.

Dëshmitari Rexhepi deklaroi se nuk i kujtohej sa para i kishte kërkuar personi, por i njëjti shtoi se nëse në deklaratë thuhej që i kishte dhënë 3 mijë euro është ashtu për shkak se atë kohë kishte qenë më e freskët ngjarja.

Në pyetjet e prokurores se nëse e njihte të akuzuarin Visar Beqiri i njëjti deklaroi se nuk i kujtohet që kishte të bënte diçka me atë emër dhe tutje ai tha se me atë vizë kishte udhëtuar në Itali pastaj në Zvicër dhe Norvegji me qëllimi të punonte por një gjë të tillë nuk e kishte bërë.

Në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Visar Beqiri, avokatit Afrim Salihu dëshmitari Rexhepi deklaroi se dokumentacionin ia kishte dhënë atij personit, ndërsa vizën e kishte marr vet personalisht në ambasadë, duke shtuar se personat e akuzuar nuk i njihte.

Ndërsa në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Kujtimi Krasniqi, dëshmitari Rexhepi tha se nuk e mbante mend sa persona kanë qenë dhe se vetëm dy ose tre herë kishte kontaktuar me ata persona gjatë procesit.

Në fund u dëgjua edhe dëshmitari Shyqri Hajredini i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli i njëjti deklaroi se kishte dhënë deklaratë në polici dhe se qëndronte pas saj.

I njëjti shtoi se kishte shkuar në një agjension afër Ambasadës që ta rregullonte dokumentacionin për vizë, por të njëjtit nuk i kujtohej as emri i agjensionit e as i pronarit ku sipas tij aty kishte paguar sigurimin dhe kishte lënë kopjen e pasaportës.

Në fund dëshmitari Hajredini deklaroi se nuk kishte arritur ta merrte vizën, para nuk kishte dhënë dhe në fund shtoi se nuk ndihej i dëmtuar sepse vet ishte interesuar për të atë vizë.

Në mungesë të dëshmitarëve tjerë seanca u ndërpre, ndërsa të radhës priten të mbahen me 5 dhe 28 shkurt të këtij viti.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.