Weber: Dyshoj se mund të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi brenda 2023-shit

Weber: Dyshoj se mund të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi brenda 2023-shit

Aktuale January 04, 2023 - 21:45

Bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber ka thënë se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, bllokimi i rrugëve me barrikada atje nga grupe të serbëve, si dhe tensionet që kanë përcjellë raportet Kosovë-Serbi gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, nuk japin shumë shprese se ekziston një atmosferë për vendosjen e dialogut në binarët që çojnë drejt një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve.

Ai ka shprehur skepticizmin e tij se brenda vitit 2023 mund të arrihet një marrëveshje eventuale, siç e quan ai “e ndërmjetme” e bazuar në planin franko-gjerman, ndërkohë që atmosfera aktuale është, siç e cilëson ai, “shumë e nxehtë”, si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës.

“Në një atmosferë të tillë të nxehtë gjithmonë ekziston rreziku se mund të ndodhë ndonjë incident, i cili më pas mund t’i përshkallëzojë gjërat. Më duhet të them se nëse pritet një marrëveshje – ashtu siç është e njohur tash, si një marrëveshje e ndërmjetme, që çon deri tek ajo përfundimtare që shkon larg, deri te njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi – atëherë, sipas meje kjo do të kërkonte një përgatitje krejtësisht tjetër të terrenit në Serbi. Nëse e krahasojmë me atmosferën e sotme dhe narrativin zyrtar, atëherë e shohim pikërisht të kundërtën”, ka thënë Weber për REL.

Webet ka theksuar se tentimi eventual për arritjen e një marrëveshjeje që nuk përfshin njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, nuk e zgjidh tërësisht problemin ndërmjet dy vendeve.

Në njërën anë, sipas tij, mbetja pezull e njohjes së ndërsjellë mund të ushqejë mosbesimin në Prishtinë, që gjenezën e ka te komprometimi i BE-së dhe SHBA-së qysh në vitin 2017 lidhur me tentimin për të mbështetur një marrëveshje për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai shpreh mendimin që Perëndimi duhet ta shfrytëzojë momentet që pritet të krijohen në vitin 2023 në kontekstin gjeopolitik.

“Lufta në Ukrainë assesi nuk po shkon në drejtim të caqeve dhe qëllimeve të Rusisë. Nuk përjashtohet mundësia që Rusia mund të humbë luftën, me dobësim serioz të Rusisë së [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Mund të kemi një skenar, në të cilin, praktikisht, me humbja e Rusisë së Putinit, Perëndimi do të ishte një pozitë shumë më të fuqishme përballë Serbisë, ndaj regjimit të [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiqit dhe mbase kjo do të ishte një bazë shumë më e mirë që të shkohet, jo drejt një marrëveshjeje të ndërmjetme, por që të kërkohet një marrëveshje përfundimtare”, thotë Weber.

Vuçiqit dhe mbase kjo do të ishte një bazë shumë më e mirë që të shkohet, jo drejt një marrëveshjeje të ndërmjetme, por që të kërkohet një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Weberi.