![Policia: Po hetojmë rrëmbimet e raportuara të serbëve nga grupet kriminale](/uploads/zeri.info/images/2022/December/21/auto_veriu-policia1671647927.jpg)
Policia: Po hetojmë rrëmbimet e raportuara të serbëve nga grupet kriminale
Gjatë ditëve të fundit në media u raportua se disa qytetarë serbë janë rrëmbyer në veri të Mitrovicës dhe janë dërguar në Serbi.
Në lidhje me këto raportime, ka reaguar Policia e Kosovës, shkruan “Zeri.info”.
Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është në dijeni të këtyre raportimeve, përderisa ka theksuar se qytetarët serbë në veri të vendit po rrëmbehen, rrihen e keqtrajtohen nga siç thotë Policia “strukturat kriminale” dhe për këtë tashmë Policia ka filluar hetimet.
“Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, përcjell “Zeri.info”.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:
Rrëmbimet e qytetarëve serb në veri të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës i trajton me seriozitet
Prishtinë, më 21 dhjetor 2022
Kërcënimet dhe rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ka krijuar rrethana të domosdoshme në ngritjen e kapaciteteve policore në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.
Në funksion të kësaj përveç angazhimeve aktive, janë vendosur edhe pika kontrolli të automjeteve nëpër qytete dhe akse rrugore.
Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre.
Policia e Kosovës, falënderon qytetaret për bashkëpunimin e vazhdueshëm ofrimin e informatave të rëndësishme për adresimin efikas të këtyre veprimeve kriminale që si tendencë kanë krijimin e panikut dhe frikës tek qytetarët e vendit tonë. /Zëri