Problemet me qentë endacakë, Komuna e Prishtinës premton zgjidhje në vitin 2023
Qytetarët e Komunës së Prishtinës shpesh janë ankuar për numrin e madh të qenve endacakë, ku jorrallëherë qytetarët e kanë pësuar nga sulmet prej tyre.
Për këtë çështje ka folur sot në Radio Prishtina drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i cili tha se e kanë trajtuar me prioritet këtë çështje, duke e cilësuar si një prej sfidave më të mëdha që kanë trashëguar. Ai përmendi strehimoren për qentë endacakë, që pritet të përfundojë në vitin 2023 dhe sipas tij do t’i japë fund këtij problemi, transmeton Zeri.info.
“Është një prej sfidave dhe problemeve më të mëdha që kemi trashëguar, për këtë e kemi trajtuar me prioritet këtë çështje, qysh në fillim kemi nënshkruar kontratë me 7 kompani për trajtim, sterilizim të qenve, kemi bërë maksimumin për të ardhur deri te projekti i qendrës së trajtimit të qenve endacakë, kemi nënshkruar kontratë dhe kemi bërë me operatorin ekonomik dhe në kohë rekorde kemi arritur t’i japim formë qendrës së trajtimit të qenve endacakë, që ka kapacitet të mjaftueshëm për numrin e qenve endacakë që kemi.
Në bazë të analizave, kemi kuptuar se me këtë qendër mund t’i japim zgjidhje të përhershme problemit të qenve endacakë. Mendojmë që në vitin 2023 do të mundë t’i bëjmë zgjidhje të përhershme për qentë endacakë”, tha Musliu në Radio Prishtina.
Ai shtoi se administrata e re e Komunës së Prishtinës ka bërë investimin më të madh të mundshëm për këtë çështje. /Zëri