Për kthimin e forcave serbe në Kosovë “vendos KFOR-i”,  jo Beogradi
Foto: Laura Hasani

Për kthimin e forcave serbe në Kosovë “vendos KFOR-i”, jo Beogradi

Aktuale December 09, 2022 - 19:23

Një ditë pasi autoritetet në Serbi thanë se po shqyrtojnë dërgimin e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, nuk dihet shumë nëse dhe në çfarë mënyre do të mund të bëhej një gjë e tillë.

Në përgjigje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë kurrë më policë dhe ushtarë të Serbisë”.

Me paralajmërimin e tyre, autoritetet në Beograd iu përgjigjën pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Deri te kjo erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, përsëriti të premten atë që tha një ditë më herët shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq - se Serbia ka të drejtë të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i ankeksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.

Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.

Pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me paralajmërimet për dërgimin e forcave serbe në Kosovë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk iu përgjigjën.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë. Dy vendet, qysh në vitin 2011, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Kërcënim me agresion”

Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rezoluta 1244, por edhe aktet kushtetuese të Kosovës tregojnë qartë se Serbia nuk mund të ketë forca të sigurisë në Kosovë.

“Në aspektin juridik kushtetues, Kosova ka integritet të plotë territorial, të garantuar me deklaratën e pavarësisë dhe me Kushtetutën e saj, e të konfirmuar me opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çfarëdo provokimi i Serbisë për dërgimin eventual të trupave serbe është një kërcënim me agresion kushtetues”, thotë Bajrami.

Sipas tij, Rezoluta 1244 ka mandatuar forcën multinacionale të KFOR-it për të garantuar kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës.

Bajrami kujton, po ashtu, se me Marrëveshjen e Kumanovës, Serbia ka pranuar tërheqjen e plotë të forcave të saj nga Kosova dhe thekson se nuk ka asnjë të drejtë për dërgimin e forcave serbe në Kosovë.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Çuni, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se “asnjë e drejtë politike, juridike, morale dhe historike nuk është në favor të angazhimit të forcave serbe në Kosovë”.

“Jo forcë, por asnjë ushtar serb i vetëm nuk ka të drejtë të shkelë në territorin e Kosovës”, thotë Çuni. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: