Mehaj pritet me nderime të larta ushtarake në Finlandë

Mehaj pritet me nderime të larta ushtarake në Finlandë

Aktuale December 09, 2022 - 16:40

Me ftesë të homologut të tij, ministrit të Mbrojtjes të Finlandës, Antti Kaikkonen, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj, së bashku me delegacionin e tij po qëndron për vizitë zyrtare në Finlandë.

Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, u zhvilluar takimi mes dy ministrave ku u diskutua rreth situatës aktuale gjeopolitike, ndikimit zingjir që ka agresioni rus në Ukrainë, vendimin e Finlandës për të aplikuar në NATO, si dhe rëndësisë së zgjerimit të kësaj aleance me qëllim garantimin e stabilitetit dhe paqes.

Gjithashtu, dy ministrat diskutuan edhe për fushat në të cilat do të bashkëpunojnë në të ardhmen, me theks të veçantë në arsimimin dhe stërvitjen e kuadrove të reja të ushtarakëve, si dhe realizimin e ushtrimeve të përbashkëta dimërore.

Gjatë takimit, Ministri Mehaj informoi Ministrin Kaikkonen edhe për kapacitetet e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, arritjet dhe gatishmërinë për të ndarë me Ushtrinë Finlandeze përvojën e FSK-së në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

Në fund, Ministri Mehaj e ftoi homologun e tij për vizitë në Republikën e Kosovës, ndërsa në anën tjetër Ministri Kaikkonen shprehu edhe njëherë gatishmërinë e tij për të rritur prezencën e trupave finlandeze në kuadër të misionit të KFOR-it dhe po ashtu për të intensifikuar bashkëpunimin edhe në fusha tjera. /Zëri