Osmani kërkon nga studentët që të kontribuojnë në parandalim të dhunës

Osmani kërkon nga studentët që të kontribuojnë në parandalim të dhunës

Aktuale December 08, 2022 - 17:13

Në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë diskutuar me studentët e Universitetit të Prishtinës për luftimin e kësaj dukurie.

Në këtë takim u diskutua për nismat ligjore për masat që ka ndërmarrë MD-ja, teksa ministrja Haxhiu përmendi rolin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe të studentëve të këtij Universiteti që ndër dekada kanë lënë gjurmë të rëndësishme në progreset e shënuara që përkonin me aspiratat qytetare të Kosovës.

Ajo theksoi se studentët duhet të debatojnë dhe të angazhohen më shumë në këtë kauzë të rëndësishme që të mundësohet arritje më e shpejt drejt emancipimit të përgjithshëm shoqëror.

Në anën tjetër presidentja Osmani u zotua se institucionet e Kosovës do të angazhohen maksimalisht për parandalimin e dhunës në Kosovë.

Ajo kërkoi angazhim edhe prej studentëve që të kontribuojnë në parandalim të dhunës si dhe në raportim të pa hezituar, duke e cilësuar si tejet të rëndësishme angazhimin aktiv të qytetarëve ndaj këtij fenomeni krahas edhe punës institucionale. /Zëri