KE-ja përmirëson raportin ku thuhej se Maqedonia e Veriut e Mali i Zi duhet t’i vënë viza Kosovës

KE-ja përmirëson raportin ku thuhej se Maqedonia e Veriut e Mali i Zi duhet t’i vënë viza Kosovës

Aktuale December 07, 2022 - 11:15

Komisioni Evropian ka korrigjuar pjesën e raportit për vizat, ku kritikonte Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi se po i lejon qytetarët e Kosovës të futen në territoret e tyre pa viza, duke thënë se kjo është në mospërputhje me politikat e BE-së për vizat.

Pas raportimit të mediave dhe reagimeve në opinion publik për këtë pjesë të raportit, Komisioni Evropian dje në një konferencë për media njoftoi se Kosova ishte përfshirë gabimisht në listën e vendeve të treta ndaj të cilave BE-ja aplikon regjim vizash.

Zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha të martën se KE-ja mbështet tërësisht lirinë e lëvizjes në rajon dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo dje.

Në raportin e publikuar tashmë është bërë ky përmirësim.

Image

Të hënën kur edhe doli raporti, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u kritikuan nga BE-ja se nuk e përshtatin politikën e tyre të vizave me Unionin, duke lejuar hyrjen e vendeve të treta, përfshirë edhe Kosovën.

“Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë veprime në vitin 2021 për të harmonizuar më tej politikën e vizave të vendit me atë të BE-së. Shtetasit e vendeve të mëposhtme, të cilëve u kërkohet viza për hyrje në BE, gëzojnë ende qasje pa viza në Maqedoninë e Veriut: Azerbajxhan, Botswana, Kubë, El Salvador, Kosovë* dhe Turqi”.

Ngjashëm ishte edhe raporti për Malin e Zi./express