Qytetarët ankohen për çmimet e shtrenjta

Qytetarët ankohen për çmimet e shtrenjta

Aktuale December 03, 2022 - 22:31

Ngritja e çmimeve dhe inflacioni ua ka vështirësuar jetën qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që ekspertët e ekonomisë kërkojnë dorën e shtetit që t`ua lehtësojë qytetarëve përballjen me këtë shtrenjtësi.

Është ditë vikendi dhe blerja e gjërave bazike zakonisht kryhet në këto ditë të javës. Por atyre që u nevojitet të blejnë produktet bazë duhet të kalkulojnë mirë. Kjo, për faktin se çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë vazhdojnë të jenë tejet të larta.

Madje qytetarët thonë se me të ardhurat që i marrin, çmimet pothuajse janë të papërballueshme. 

" Për jetën kosovare me të ardhura që janë në Kosovë, janë tejet, tejet të larta çmimet duke u bazuar në ato gjana elementare për njeriun që i duhet pa to që nuk i kalohet jeta është shumë ma shtrenjtë se në perëndim", shprehet një qytetar.

Nga ana tjetër, të tjerët thonë se ngritja e çmimeve prej viti në vit dallon shumë.

' Në përgjithësi janë ma shtrenjtë se në vitin e kaluar, para 5-6 muajve kanë qenë ma lirë. Tash me qito që i kam marrë në vlerë 220 euro, më herët i kam marrë për 150 euro, shumë ma shtrenjtë tash", thotë qytetari.

" Dukshëm ndoshta dikund 40% ose 50%. Më shtrenjtë,  vërehet shumë vërehet"

Në anën tjetër, profesor i Ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se inflacioni ka bërë goditje të madhe në jetën sociale në Kosovë, porse sipas tij Qeveria duhet të bëjë përpjekje që ta amortizojë ndikimin negativ të inflacionit.

"Ky inflacion nuk luftohet me masa parciale por luftohet me masa sistematike koherent me politika të qëndrueshme në mënyrë që Kosova të përballet me një të keqe e cila vjen edhe nga tregu ndërkombëtar e reflektohet ne inflacion tejet të lartë", tha Sadiku për RTK

Edhe njohës të çështjeve ekonomike thonë se orientimi shtetit duhet të jetë më tepër te prodhimtarit vendore.

"Duhet të jemi të orientuar drejt forcimit të sektorit privat, duhet të jemi të orientuar drejt fuqizimit të promovimit të prodhimit vendor dhe duhet të kemi alternativ se si të dilet nga një situatë e tillë e cila çdo ditë e më tepër po e rëndon jetën e qytetarit të Kosovës”, tha Safet Gërxhaliu njohës i çështjeve ekonomike.

Bazuar në raportin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është duke u përballuar me një inflacion që tashmë ka arritur në 20%.