Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e quan nënçmuese dhe konflikt-nxitëse gjuhën e Vuçiqit ndaj Kurtit
Foto: Laura Hasani

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e quan nënçmuese dhe konflikt-nxitëse gjuhën e Vuçiqit ndaj Kurtit

Aktuale December 03, 2022 - 15:20

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka thënë se është duke ndjekur me shqetësim të madh deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas emërimit të Nenad Rashiqit – ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Deklarata të tilla sipas këtij Këshilli janë nxitje për konflikt, gjuhë nënçmuese si dhe dëmtojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Deklarata të tilla, që të kujtojnë fjalorin e urrejtjes dhe nxitjes së luftës së regjimit të Millosheviqit kundër shqiptarëve, dëmtojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe rrjedhimisht paqen dhe sigurinë në rajon”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka thënë se mbështet veprimet e Qeverisë së Kosovës për stabilizimin e situatës dhe përkushtimin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar perëndimor që të shtojë përpjekjet për të arritur sa më shpejt normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të mos tolerojë veprimet destabilizuese të Vuçiqit, i cili tashmë e ka bërë të qartë se nuk ka hequr dorë nga orientimi pro-rus, me emërimin në krye të Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) të shovinistit dhe antishqiptarit famëkeq, Aleksandar Vulin”.

Ndryshe, Vuçiq e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian. /telegrafi