Osmani ndan 100 mijë euro për organizatat e personave me aftësi të veçanta

Osmani ndan 100 mijë euro për organizatat e personave me aftësi të veçanta

Aktuale December 03, 2022 - 13:28

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, ka pritur në takim Komitetin Paraolimpik të Kosovës dhe organizatën e Studentëve Handicap. Në të dy takimet ajo ka shprehur mbështetje për këtë kategori dhe ka potencuar se gjithëpërshirja e tyre, punësimi dhe jeta e dinjitetshme janë objektiv i përditshëm.

“Kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie nuk duhet të fokusohet në një ditë të vetme, por gjatë gjithë vitit, prandaj këtë vit presidentja ndanë 100 mijë euro shtesë subvencione vetëm për organizatat e personave me aftësi të veçanta”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja gjithashtu ka shprehur gatishmërinë që t`i mbështes sportistët paraolimpik, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Paralimpike në Paris më 2024.

Ndërkaq në takimin me studentët Handicap, presidentja Osmani, ka theksuar se të gjitha organizatat e personave me aftësi të kufizuara do t`i kenë dyert e hapura gjatë tërë vitit për t`i mbështetur ata në mënyra të ndryshme.

Për më tepër, siç thuhet në njoftim ajo ka theksuar se qasja në të drejtat dhe liritë themelore, për personat me nevoja të veçanta, duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve.