Normalizimi i dhunës që mund të çojë në vrasje
Foto: Laura Hasani

Normalizimi i dhunës që mund të çojë në vrasje

Aktuale December 03, 2022 - 10:52

Ekspozimi i hershëm i fëmijëve ndaj dhunës dhe tolerimi i saj mund të çojnë në tendenca të dhunshme të të rriturve, thotë Kaltrina Kelmendi, profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“[Në kontekstin e shoqërisë kosovare] ekziston një lloj normalizimi i përdorimit të dhunës si mënyrë e zgjidhjes së problemeve”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në javën e fundit të nëntorit në Kosovë janë vrarë dy gra - përfshirë një shtatzënë - dhe të dyshuar kryesorë për vrasjet kanë qenë bashkëshortët e tyre. Në rastin e shtatzënës, autoritetet kanë konfirmuar se i dyshuari ka pasur edhe aktakuzë për dhunë në familje.

Psikologja Kelmendi ka publikuar disa studime në lidhje me këtë fenomen, përkatësisht dhunën në familje, dhunën në bazë gjinore dhe dhunën mes partnerëve intimë.

Në bazë të këtyre studimeve, ajo thotë se tendencat e dhunshme mund të lindin si rrjedhojë e një cikli të dhunës, ndaj të cilit personi mund të ketë qenë i ekspozuar që nga fëmijëria e hershme deri te mosha madhore.

“Kjo ndikon në zhvillimin e disa qëndrimeve tolerante ndaj dhunës dhe bën që dhuna të shihet si formë legjitime e zgjidhjes së konflikteve”, thotë Kelmendi.

Sipas saj, nëse fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje, qoftë si viktima apo si dëshmitarë, kjo i rrit gjasat që ata të jenë të dhunshëm kur të rriten.

Kelmendi thotë se në familjet kosovare, një numër i madh i fëmijëve i ekspozohen dhunës si formë e disiplinës.

Këtë e konfirmon edhe një anketë e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2020 dhe e realizuar me mbështetjen e Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF. Sipas saj, mbi 72 për qind e fëmijëve kosovarë janë të disiplinuar me dhunë.

Kelmendi thotë se institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë programe që merren me dhunën në familje në aspektin vetëdijesues.

“Duhet të merremi jo vetëm me pasojat e dhunës, duhet të punohet edhe në ngritjen e vetëdijes tek anëtarët e familjes, qoftë te viktimat e dhunës, qoftë te përjetuesit e saj, në mënyrë që dhuna të mos përsëritet”, thotë ajo.

Studiuesja e konsideron të rëndësishme që, përtej kurrikulave aktuale të mësimit, në shkolla të zhvillohen programe edhe për forma të komunikimit, me të cilat mund të zgjidhen konfliktet.

Më 2 dhjetor - dy ditë pas vrasjes së gruas shtatzënë - ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka lansuar të ashtuquajturën “Kurrikulë për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës”.

Haxhiu ka thënë se ky është “hapi i parë institucional” përmes të cilit synohet që kryerësit e veprave penale të dhunës, të kenë trajtim psiko-social, përmes programeve adekuate gjatë vuajtjes së dënimit.

Në Kosovë, aktualisht, po zhvillohem “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, të organizuar nga ministria që udhëheq Haxhiu.

Në kuadër të kësaj nisme, në Prishtinë është hapur edhe një ekspozitë me disa emra të grave të vrara nga dhuna në familje.

Nga viti 2010, në Kosovë janë raportuar 50 gra të vrara nga familjarë të tyre - kryesisht bashkëshortët. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: