Kurti e çon përpara ligjin për Zyrtarët Publik
Foto: Laura Hasani

Kurti e çon përpara ligjin për Zyrtarët Publik

Aktuale December 03, 2022 - 10:45

Mijëra të punësuarve në administratën publike në Republikën e Kosovës, që i takojnë pozitave të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues, do t’u shpallet konkursi për vendin e tyre të punës që aktualisht janë duke e ushtruar. Shumë prej tyre mund humbasin vendin e tyre të punës.

Kjo do të bëhet një vit pasi të hyjë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik i propozuar nga Qeveria Kurti. Ky ligj nga dita e sotme ka hyrë në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës dhe mes shumë debateve ai ka kaluar në Komisionin për Administratë Publike.

Neni 99 i këtij ligji e parasheh shpalljen e procesit të rekrutimit përmes konkursit publik.

“Një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të shpallet procedura e rekrutimit sipas radhës së planifikuar përmes konkursit të hapur dhe publik, përjashtimisht për pozitat të cilat kanë qenë të lira dhe janë plotësuar gjatë fazës transitore të rekrutimit sipas nenit 98 të këtij ligji”, thuhet në këtë nenin 99. /nacionale