Osmani për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë: Një tjetër krim makabër e çnjerëzor

Osmani për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë: Një tjetër krim makabër e çnjerëzor

Aktuale November 30, 2022 - 21:08

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së 35-vjeçares në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Ngjarja e cila tronditi tërë vendin pasditen e së mërkurës, ku një 35-vjeçare e cila ishte në muajin e fundit të shtatzënisë, përkatësisht një javë para se të lindte, dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj.

Ndaj kësaj ngjarjeje tronditëse ka reaguar edhe presidentja e vendet, Vjosa Osmani, shkruan “Zeri.info”.

Osmani përmes një reagimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky është një krim makabër e çnjerëzor.

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë. Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër "burrë" që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës”, ka shkruar Osmani ndër të tjerash.

Presidentja Osmani ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe dënim maksimal për të dyshuarin.

“Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal”, është shprehur Osmani. /Zëri