Kurti pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë: U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër
Foto: Laura Hasani

Kurti pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë: U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër

Aktuale November 30, 2022 - 20:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti, ka shkruar se kjo është një ngjarje e papranueshme dhe e padurueshme, shkruan “Zeri.info”.

Kurti ka thënë se ne vend se burri ta mbrojë gruan e tij, ai e ka vrarë atë, e madje edhe fëmijën.

Kryeministri Kurti, dorasi e këtij krimi e ka quajtur vrasës mizor.

Reagimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Dy engjëj në qiellin e pistë

Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme.