“Perëndimi po i hedh benzinë zjarrit duke insistuar në propozimin franko-gjerman”

“Perëndimi po i hedh benzinë zjarrit duke insistuar në propozimin franko-gjerman”

Aktuale November 29, 2022 - 19:33

Ambasadori rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenko ka akuzuar sot Perëndimin se “i hedh benzinë ëzjarrit” duke insistuar në propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Duke vënë në dukje se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell “aludon qartë” se tani është e nevojshme të fokusohet në atë propozim, Botsan-Kharchenko tha në një deklaratë të transmetuar nga ambasada ruse se “sipas të gjitha gjasave, pozicioni publik për këtë çështje i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për të (Borrellin) nuk është i rëndësishëm”.

“Me fjalë të tjera: Perëndimi e uli tensionin e problemit të targave, të cilin Prishtina e krijoi artificialisht, por nuk e bëri për të normalizuar situatën në krahinë. Tani po i hedh sërish benzinë zjarrit”, tha Botsan-Kharchenko, raportojnë agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, transmeton Klankosova.tv.

Ai kujtoi se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dha pëlqimin për ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në dialog dhe vuri në dukje se Brukseli nuk u konsultua me vendet anëtare të Organizatës Botërore “për të përfshirë në mënyrë kaq të lehtë dhe komanduese planin franko-gjerman në agjendën e dialogut”.

Ambasadori rus thekson se shumica, pra më shumë se 100 anëtarë të OKB-së, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai iu referua edhe seancës së përbashkët të parlamenteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke vlerësuar se BE-ja i priti me lehtësi siç pritej “mesazhe alarmante nga Tirana”, të cilat, sipas tij, janë në frymën e idesë së “Shqipërisë së Madhe dhe që lavdërojnë UÇK-në dhe drejtuesit e saj të akuzuar për krime kundër njerëzimit”.

“Në përgjithësi, duket se aktiviteti ndërmjetësues i BE-së nuk ka asgjë të përbashkët me rolin e një ndërmjetësi të ndershëm”, përfundoi Botsan-Kharchenko.