Shkollimi i hershëm, “luks” në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Shkollimi i hershëm, “luks” në Kosovë

Aktuale November 29, 2022 - 14:29

Vetëm 6,7 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç në Kosovë ndjekin edukimin e hershëm në çerdhe, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, jetojnë rreth 130.000 fëmijë të kësaj moshe, ndërsa funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.

Numri i këtyre institucioneve parashkollore, në raport me nevojat, duket se është i pamjaftueshëm.

“Sa herë kam shkuar të interesohem për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe [publike], më kanë thënë se nuk ka vend”, thotë  Xhavit Hasani, baba i dy fëmijëve, nga Fushë-Kosova.

“Njërin fëmijë e kam regjistruar në një kopsht privat, tjetri ka qëndruar në shtëpi, nën përkujdesjen e familjes”, thotë ai, duke shtuar se nuk ka mundur të përballojë çmimin për të dy.

Në familjen 4-anëtarëshe të Hasanit punon vetëm ai.

Komuna e Fushë-Kosovës, me afro 34.000 banorë, ka vetëm një çerdhe publike.

Pagesa mujore në çerdhet publike është 40 deri në 50 euro, ndërsa në ato private varion nga 80 deri në 250 euro.

Ngjashëm si Fushë-Kosova, ose më keq, janë edhe disa komuna të tjera.

Ajo e Deçanit, me 40.000 banorë, nuk ka asnjë çerdhe publike për fëmijë.

Drejtori i arsimit në këtë komunë, Besnik Hulaj, thotë se atje gjendet një çerdhe publiko-private dhe një private.

Sipas tij, edukimin e hershëm e ndjekin rreth 100 fëmijë, por, me gjithë interesimin e REL-it, ai nuk tregon nëse numri i çerdheve është i mjaftueshëm përballë nevojave.

Me një çerdhe publike është edhe komuna e Hanit të Elezit, e populluar me mbi 9.000 banorë, konfirmon për Radion Evropa e Lirë drejtori i drejtorisë për arsim, kulturë dhe sport në këtë komunë, Hisni Luri.

Pak çerdhe me kosto të përballueshme

Nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF thonë se nga shërbimet e edukimit të hershëm në Kosovë, përfiton vetëm një shtresë e caktuar e popullatës, që ka një situatë më të favorshme financiare.

Sipas tyre, kapaciteti i institucioneve parashkollore me kosto të përballueshme është i vogël.

“Në mungesë të institucioneve parashkollore publike, funksionon një numër i institucioneve parashkollore private, me tarifa që konsiderohen si barrë relativisht e rëndë për familjet e Kosovës me të ardhura mesatare mujore”, thotë Bukureza Surdulli, hulumtuese në KOMF.

Fëmijët pa fëmijëri

Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, është rreth 480 euro në muaj.

Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, i cili udhëheq Institutin EdGuard në Prishtinë, thotë se mungesa e më shumë çerdheve publike, ia ka pamundësuar një numri të madh të fëmijëve edukimin e hershëm.

Ai thotë se këta fëmijë, në njëfarë mënyre, “janë diskriminuar nga shteti”, pasi familjet e tyre nuk kanë mundur të përballojnë çmimin e çerdheve private.

“Me këtë nivel të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukim të hershëm, ka padrejtësi - në veçanti për fëmijët në zonat rurale. Institucionet shtetërore duhet të garantojnë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët”, thotë Qehaja.

Ekspertë të arsimit, më herët, kanë ngritur dilema edhe për cilësinë e edukimit që ofrohet në institucionet ekzistuese parashkollore, për shkak të mbipopullimit të tyre. 

Për këtë çështje, Kosovës i është tërhequr vërejtja edhe nga Komisioni Evropian, në raportin e progresit për këtë vit.

Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin dhe kujdesin parashkollor -mosha nën 5 vjeç - mbetet e ulët.

Kjo është një vërejtje që është përsëritur disa vite radhazi nga Komisioni Evropian.

Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka shprehur po ashtu shqetësim për, siç ka thënë, pjesëmarrjen e ulët të fëmijëve kosovarë në edukimin e hershëm.

Në një studim të publikuar vitin e kaluar, ky fondacion ka theksuar se edukimi i hershëm është një periudhë kruciale për zhvillimin njohës, shoqëror, emocional dhe fizik të fëmijës.

Sipas UNICEF-it, fëmijët që ndjekin së paku një vit të edukimit parafillor kanë më shumë gjasa të zhvillojnë shkathtësi kritike, që do t’u nevojiten për të pasur sukses në shkollë. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: