Vendimi i KGJK-së, anulohen të gjitha seancat në Gjykatën e Vitisë

Vendimi i KGJK-së, anulohen të gjitha seancat në Gjykatën e Vitisë

Aktuale November 29, 2022 - 14:22

Në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti, sot janë anuluar të gjitha seancat, për shkak të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që puna e gjykatave të reduktohet dhe të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale.

Sipas gjyqtarit mbikëqyrës të kësaj gjykate, Alush Sinani, të gjithë seancat në gjykatën e Vitisë prej vendimit të KGJK-së, janë anuluar dhe po vazhdohet vetëm me ato sipas listës së publikuar nga KGJK.

Ndryshe, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /BetimipërDrejtësi