Nesër pritet të votohet propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Nesër pritet të votohet propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Aktuale November 29, 2022 - 11:52

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet që të mërkurën të votojnë në lidhje me propozimin e fundit të Presidencës çeke për liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas të cilit liberalizimi hyn në fuqi kur sistemi ETIAS bëhet funksional e jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Ky votim ishte paraparë të ndodhë javën e kaluar, por u hoq nga agjenda për shkak të situatës në veri e në dritë të takimit të pasuksesshëm të liderëve që u mbajt më 21 nëntor.

Sipas tekstit, të cilin do ta votojnë ambasadorët, në periudhën deri në fillimin efektiv të liberalizimit të vizave Kosova duhet të synojë lidhjen e marrëveshjeve të riatdhesimit me shtet me të cilat nuk ka aranzhime të këtilla, si dhe duhet të përmbushë detyrimet e dala nga këto marrëveshje.

Gjithashtu, nga vendi do të kërkohet që të përpiqet të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

Votimi në nivel të ambasadorëve pritet të bëhet pa diskutime paraprake dhe në këtë mënyrë mundësohet vazhdimi i procedurave relevante legjislative që do të çojnë deri te vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave.

Njëkohësisht, presidenca çeke në dokument rikujton rëndësinë që shtetet anëtare i kushtojnë hyrjes efektive në funksionimin e ETIAS brenda afateve të përcaktuara, dhe fton shtetet anëtare të vazhdojnë përpjekjet e tyre përgatitore për të siguruar respektimin e afateve të dakorduara.

Ndryshe, në rast se sistemi ETIAS bëhet funksional në afatin e dakorduar, përkatësisht në nëntor të vitit 2023, atëherë njëkohësisht hyn në fuqi edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. /RTK