“Thaçi ishte pjesë e celulave të para të UÇK-së, e koordinoi sulmin mbi forcat serbe në Runik në ’93-ën”

“Thaçi ishte pjesë e celulave të para të UÇK-së, e koordinoi sulmin mbi forcat serbe në Runik në ’93-ën”

Aktuale November 28, 2022 - 21:28

Një prej ushtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së, Xhevahir Geci është rrëfyer për herë të parë për përvojat e tij dhe njohuritë e tij që ka për fillet e para të grupeve të armatosura të UÇK-së kundër forcave serbe.

Ai ka thënë se pjesë e këtij organizimi, që njihet si grupi i Adem Jasharit, kanë qenë edhe Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Geci, duke folur në T7, ka thënë se Thaçi e Veseli ishin pjesë e aksioneve të para në Runik të Drenasit.

“Hashim Thaçin e kam njoft, ka qenë pjesë e jona e celulave të para të UÇK-së. Kadri Veseli po ashtu. Aksionet e para ata i kanë marrë në Drenas, Runik. Hashim Thaçi është një gjeneratë më e re se unë, ’67. Ka qenë pjesë e grupit të Adem Jasharit. Pjesë e aksioneve në Drenas e Runik ka qenë edhe Hashim Thaçi”, ka thënë ai.

“Ka qenë pjesë e vijave të fronit të luftës, celulave të para të UÇK-së. Në Runik, Thaçi ka qenë koordinator i aksionit”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se kur dëgjon të kontestohet roli i tyre në luftë, nuk ndihet mirë.

“Kontestohet prej njerëzve të politikës, që nganjëherë s’të bëjnë të ndihesh mirë. Ka qenë pjesë e gjithçkafit, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Kadri Veseli e komandanti Adem Jashari. Komandant e kemi njoftë Adem Jasharin”, ka deklaruar ai.

Geci, Thaçit i ka veshur merita që lufta e UÇK-së u bë e njohur edhe përtej kufijve.