Kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon, thotë Abdixhiku
Foto:Laura Hasani

Kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon, thotë Abdixhiku

Aktuale November 28, 2022 - 12:50

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ua ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 Nëntorit.

Sipas tij, sot konstatohet se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Sot shënojmë ditën e shqiptarëve – 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është dita historike e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Është Nëntori i Dytë, dita më e rëndësishme pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut . Për këtë ditë u bashkuan të gjithë burrat e kombit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

“Sot, në këtë përvjetor kujtojmë plakun e urtë, Ismail Qemali, i cili i rrethuar nga burrat e tjerë të kombit e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur. E kujtojmë Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Me të drejtë, sot konstatohet se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Prandaj, ne na mbetet që të punojmë të gjithë bashkë për integrimin e dy shteteve në familjen tonë natyrale – perëndimore”. /klankosova