Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Berisha: Finalizimi në një shtet të vetëm është ëndrra sublime e shqiptarëve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se gjatë qeverisjes socialiste marrëdhëniet me Kosovën kanë mbetur të pandryshuara, ose janë përkeqësuar.
“Ëndrra e shqiptarëve për bashkim është ëndrra më fisnike e tyre. Dhe në këtë kontekst, duhet ta konsiderojmë atë një proces, në sensin që nëse 30 vite më parë, shqiptarët nuk ishin të lirë në asnjë territor, sot shqiptarët janë të lirë”, tha Berisha gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij në Facebook.
“Por, a është bërë sa duhet që shqiptarët t’i bëjnë të parëndësishëm kufijtë e tyre? Unë mendoj se është bërë regres në këtë drejtim, pasi po të marrim sot ecurinë e marrëdhënieve të 9 viteve të fundit me Kosovën, ajo është në vendnumëro për të mos thënë se ka prapakthehu. Pra, procesi i bashkimit është një proces kompleks, në të cilin ka shumë punë për të bërë. Natyrisht finalizimi në një shtet të vetëm është ëndrra sublime e shqiptarëve, por kjo në përputhje me proceset integruese evropiane dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet”, shtoi ai.